E drejta për ndihmë juridike falas nëse nuk ke mundësi të paguash avokat

  • Kush është përgjegjës:
    Agjencia për Ndihmë Juridike Falas
  • Gjeje në Ligj:
    Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji Nr. 04/L-017 për Ndihmë Juridike falas
  • Kush mund të më ndihmojë:
    1. Zyrat Rajonale; 2. Zyrat Mobile për Ndihmë Juridike Falas; 3. Avokatët; 4. Organizatat jo-qeveritare në rastet kur hyjnë në partneritet me Agjencinë

Ke ndonjë problem ligjor por nuk ke mundësi financiare të paguash avokat? Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji ta garanton ty të drejtën për ndihmë juridike falas.

Ndihma juridike falas në Kosovë ofrohet nga Agjencia për Ndihmë Jurdike Falas që është institucion i pavarur publik që ofron ndihmë juridike falas në lëmitë civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse, për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa marrë parasysh origjinën kombëtare, etninë, racën, ngjyrën, gjuhën, religjionin apo përkatësinë politike, identitetin gjinor, orientimin seksual, gjendjen shëndetësore, aftësinë e kufizuar, shtetësinë apo vendbanimin.

Çfarë nënkupton Ndihma Juridike Falas?
Ndihma juridike falas nënkupton se ke të drejtë të marrësh informata dhe këshilla juridike rreth procedurave gjyqësore, si dhe të kërkosh përpilim të parashtresave dhe përfaqësim para gjykatave dhe organeve të tjera.

Si të përfitosh nga Ndihma Juridike Falas?
Ti mund të jesh përfitues i ndihmës juridike falas nëse i plotëson kushtet në vijim:

  • Je shtetas me vendbanim në territorin e Republikës së Kosovës, person me qëndrim të përkohshëm në Republikën e Kosovës, një ndër personat e tjerë të përcaktuara me ligj apo me rregulla ndërkombëtare, të cilat e obligojnë Republikën e Kosovës ose një ndër personat të cilëve ju ofrohet ndihma juridike në bazë të parimit të reciprocitetit.
  • Nuk ke të ardhura materiale apo ke të ardhura mujore më të vogla se paga mesatare në Kosovë, jeton nga ndihma sociale, apo je pensionist.
  • Kërkesa jote është e bazuar në prova, ka vlerë reale, dhe ekziston mundësia e suksesit.

Ku të drejtohesh?
Nëse e sheh se i plotëson kushtet e lartëpërmendura, drejtohuni zyrës më të afërt për ndihmë juridike falas dhe paraqitni kërkesën. Nëse kërkesa jote është e bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, zyrtarët e zyrës për ndihmë jurdike falas fillojnë procedurën dhe ju ofrojnë ndihmën juridike falas për të cilën ke nevojë.

Me rastin e aplikimit për ndihmë juridike falas me vete duhet të kesh dokumentet personale si dhe dokumentacionin mbështetës, me të cilin dëshmohet gjendja financiare dhe statusi yt social.

Pasi që të aplikosh për ndihmë juridike falas, zyra për ndihmë juridike falas merr vendim për lejimin ose refuzimin e kërkesës tënde. Vendimi për lejimin ose refuzimin e kërkesës merret brenda 5 ditëve nga dita e dorëzimit të dokumentacionit të kompletuar.

Nëse të refuzohet kërkesa për ndihmë juridike falas, ti ke të drejtë ankese. Ankesën mund t’ia drejtosh komisionit për ankesa në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të vendimit mbi refuzimin e ndihmës juridike falas.

Adresat e Zyrave Rajonale për Ndihmë Juridike Falas
Prishtinë: Rr. “Zenel Salihu” nr.30; Tel. 038 200 18 944 / 038 200 18 941
Prizren: Objekti i Prokurorisë Themelore; Tel. 029 230 554
Pejë: Objekti i Prokurorisë Themelore; Tel. 039 423 698
Mitrovicë: Objekti i qendrës për punë sociale Tel. 028 534 477
Gjilan: Objekti i Prokurorisë Themelore; Tel. 0280 321 134
Ferizaj: Objekti i Gjykatës Themelore; Tel. 0290 323 406
Prizren: Objekti i Prokurorisë Themelore- Prizren; Tel. 029 230 554
Gjakovë: Rr. “UÇK” p.n Pallati i Kulturës; Tel. 0390 320 270

  

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori