E drejta për ndihma financiare për studime në universitetet publike

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji mbi arsimin e lartë në Republikën e Kosovës
  • Kush është përgjegjës:
    Universiteti publik ku ndjek mësimet
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Tags: , ,

Le të themi se jeni një i ri ambicioz që vjen nga një familje e varfër. Ti dëshiron të studiosh në universitet, por mendon se nuk mund t’i mbulosh shpenzimet. Duhet të dish se disa dispozita ligjore të garantojnë ndihmë për të mbuluar koston e studimit në universitetet publike të vendit. Më konkretisht, ti mund të përfitosh ndihmë financiare e cila mund të t’i zvogëlojë apo eliminojë kostot e regjistrimit dhe ato administrative, nëse i përmbush këto kritere:

a) nëse familja jote është përfituese e asistencës sociale dhe nuk ka burime të ardhurash

b) nëse je invalid i luftës

c) nëse e ke humbur ndonjërin prej prindërve në luftë

d) nëse je person me aftësi të kufizuara

c) nëse je fëmija i tretë në familje që ndjek universitetin në të njëjtën kohë

Ti mund të aplikosh për ndihmë financiare drejtpërdrejtë në universitetin publik ku ndjek mësimet. Universiteti fillimisht duhet të verifikojë se ti ke të drejtë të marrësh asistencë.

- Nëse je përfitues i asistencës sociale, duhet të marrësh një certifikatë vërtetimi nga Qendra për Punë Sociale në komunën tënde. Nëse nuk ke burime të tjera të të ardhurave, duhet të sjellësh dëshmi nga Zyra e Punësimit si dhe Departamenti i Ekonomisë dhe Financave në Komunën tënde të cilat konfirmojnë se askush në familjen tënde nuk punon apo nuk zotëron biznes.

-  Nëse je invalid i luftës, duhet të dorëzosh një certifikatë nga doktori dhe një tjetër nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.

-  Nëse ndonjëri prej prindërve të tu ka vdekur gjatë luftës, duhet të marrësh një certifikatë nga Zyra e Regjistrimit Civil në komunën tënde e cila e konfirmon këtë gjë.

- Studentët me aftësi të kufizuara duhet të marrin një certifikatë nga doktori e cila e konfirmon gjendjen e tyre.

Lista e studentëve të liruar nga pagesat duhet të bëhet publike nga universiteti para regjistrimit të semestrit. Ligji për arsimin e lartë e detyron Ministrinë e Arsimit që të ndërmarrë masa në rast se të drejtat për ndihmë financiare shkelen.

Këto të drejta janë të përfshira në Ligjin për arsimin e Lartë (Neni 32 “Ndihma Financiare për Studentët”) dhe në nenet e ndryshme të Ligjit mbi statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, anëtarëve të UÇK-së, viktimave civile dhe anëtarëve të tyre. Kriteret më të sakta se kush mund të përfitojë beneficione si dhe aspektet procedurale janë të parashtruara në Udhëzimin administrativ 24/2012 “Mbi kategoritë e studentëve për asistencë si dhe kushtet për fitimin e asistencës”.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori