Ndihmë për gjetjen e një vendi të punës

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve (04-L083)
  • Kush është përgjegjës:
    Ti dhe zyra komunale ose rajonale e punësimit
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Zyrat rajonale të punësimit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale
Tags: , , , ,

Nëse je në moshë të punës dhe nuk mund të gjesh punë, fillimisht duhet të regjistrohesh si një punëkërkues në komunën ku banon. Shteti më pas mund të të ndihmojë në gjetjen e një vendi të punës. Zyrat komunale të punësimit, të cilat janë pjesë e zyrave rajonale të punësimit, janë të detyruara me ligj që të të regjistrojnë në bazën e të dhënave dhe të të ofrojnë ndihmë të formave të ndryshme falas. Këto zyra mund të të ofrojnë këshillim profesional për punësim si dhe të të japin udhëzime për karrierë, informata për vendet e lira të punës, ose të të japin konfirmim për statusin tënd si i papunë nëse dëshiron të aplikosh për ndihmë sociale. Bashkë me stafin e këtyre zyrave ti mund ta zhvillosh një plan individual të punësimit dhe të përfitosh nga masat aktive të tregut të punës si skemat e praktikantëve, trajimet në vend të punës ose subvencionet afatshkurtra për punësim të cilat mund të çojnë deri të punësimi afatgjatë.

Përgjegjësia për ta kërkuar një vend të punës dhe për t’u regjistruar në zyrën e punësimit është në fund të fundit e jotja, ndërsa kjo e fundit është e detyruar të të ndihmojë në sfidat e tua. Te zyra e punësimit ti duhet të sjellësh një letërnjoftim si dhe dëshmi të kualifikimeve të tua arsimore apo trajnimeve të përfunduara, dhe kështu mund ta marrësh një kartë të papunësisë. Do të përfitosh ndihmë përderisa i përmbushë disa detyrime të caktuara: më saktë, duhet ta certifikosh një plan individual të punësimit i cili zhvillohet bashkërisht me zyrën e punësimit; t’iu qasesh punëkërkuesve të cilët janë të interesuar për të të marrë në punë dhe të mos refuzosh vende të lira pune; të pranosh trajnime ose masa të punësimit aktiv të cilat ofrohen nga zyra e punësimit. Duhet ta kontaktosh zyrën e punësimit së paku çdo tre muaj dhe nëse nuk e kontakton atë së paku dy herë në vit, atëherë emri yt do të largohet nga regjistri i të papunëve.

Zyrat komunale të punësimit janë pjesë e zyrave rajonale të punësimit, ndërsa këto të fundit mbikëqyren nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nëse të drejtat e tua si punëkërkues i papunë nuk përmbushen dhe në nivelin komunal nuk të ofrohen shërbimet që të takojnë, atëherë mund të parashtrosh ankesë pranë zyrës rajonale të punësimit ose pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori