Mbrojtja nga dhuna në familje

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji për dhunën në familje
  • Kush është përgjegjës:
    Policia e Kosovës, gjykata kompetente, Divizioni për mbrojtje dhe ndihmë viktimave (pjesë e zyrave të prokurorisë).
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Qendra për punë sociale, OJQ-të, Institucioni i Avokatit të Popullit
Tags: ,

Mund të jesh viktimë e dhunës ndërsa shkaktari mund të jetë cilido nga anëtaret e familjes tënde. Duhet të dish se nuk ke nevojë të tolerosh dhunën dhe se ekzistojnë dispozita të fuqishme ligjore të cilat ta mundësojnë sigurinë kur të përballesh me anëtarë të dhunshëm të familjes. Këto çështje janë të adresuara në Ligjin për dhunën në familje. Sipas këtij ligji, në rastet emergjente, pasi që është njoftuar policia, drejtori rajonal i policisë ka të drejtë që të lëshojë një urdhër për mbrojtje të përkohshme emergjente e cila përmes së cilës ti mund të mbrohesh nga anëtari i dhunshëm i familjes. Ligji e detyron policinë që t’u përgjigjet akteve ose kërcënimeve për të kryer vepra të dhunës në familje. Një urdhër për mbrojtje emergjente, apo një urdhër për mbrojtje afatgjate, mund të zgjatet me urdhër të gjykatës pasi asaj t’i jesh drejtuar ti ose ndonjë institucion tjetër publik (policia, qendra për punë sociale, etj). Urdhrat për mbrojtje afatgjate mund të jenë të natyrave të ndryshme, varësisht nga shkalla e rrezikut. Për shembull, llojet e urdhrave mund të përfshijnë urdhrin që anëtari i dhunshëm i familjes të çohet për trajtim psiko-social, që ai/ajo të mos mund të të afrohet fizikisht, që ti të ruhesh nga një ekip i mbrojtjes fizike, etj. Shkelësit e urdhrave për mbrojtje rrezikojnë të ndëshkohen financiarisht deri në 2000 EUR ose të dërgohen në burg deri në gjashtë muaj. Ligji për dhunën në familje gjithashtu e detyron Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që, në bashkëpunim me ministritë e tjera, të krijojë struktura dhe sisteme mbështetëse për asistencë dhe shërbime mjekësore për viktimat e dhunës në familje.

Policia e Kosovës është aktori më i rëndësishëm në dhënien e mbështetjes për viktimat e dhunës në familje. Kushdo mund të raportojë raste të tilla të dhunës në polici, ndërsa kjo e fundit është e detyruar që të përgjigjet, duke e arrestuar shkaktarin në rast se është kryer ndonjë vepër penale. Poashtu, policia e Kosovës ka për detyrë që ta respektojë të drejtën e viktimës për privatësi dhe ta informojë atë për të gjitha të drejtat që i takojnë sipas ligjit. Gjyakta poashtu është e detyruar që të lëshojë urdhra për mbrojtje dhe të merret me shkaktarët sa më shpejtë që të jetë e mundur, varësisht nga shkalla e rrezikshmërisë. Një institucion tjetër i cili mund t’ju ndihmojë në këtë drejtim është Divizioni për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (që është pjesë e zyrave rajonale të prokurorisë). Këto zyra mund të ju ofrojnë këshilla dhe shërbime mbështetëse.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori