Shfrytëzimi i fëmijëve nga familja

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji për familjen, Kodi Penal i Kosovës, Ligji për familjen dhe shërbimet shoqërore
  • Kush është përgjegjës:
    Qendra për punë sociale, policia
  • Kush mund të më ndihmojë:
    gjykata kompetente, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Institucioni i Avokatit të Popullit
Tags:

Je i/e mitur dhe ndjen se po shfrytëzohesh ekonomikisht ose në forma të tjera nga prindërit dhe familja? Duhet të dish se ligjet në Kosovë të krijojnë mundësi për të të mbrojtur dhe mund t’i dënojnë prindërit e tu ashpër. Ligji për familjen thotë qartë se prindërit janë përgjegjës për t’u kujdesur për fëmijët e tyre (nën moshën 18 vjeçare) dhe se të fundit kanë të drejtë për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi ekonomik, trafikimi, shfrytëzimi seksual ose çfarëdo aktiviteti tjetër i cili mund të jetë i dëmshëm për arsimimin dhe shëndetin tënd. Detyrimin e një personi të moshës së mitur që të punojë poashtu e ndalon Kodi i Penal i Kosovës (Neni 211.3), . Ky i fundit parasheh dënime për prindërit të cilët i detyrojnë fëmijët të merren me aktivitete që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre, përfshi këtu edhe lutjen për para në rrugë. Shkeljet serioze të të drejtave të fëmijës mund t’i japin të drejtë qendrës për punë sociale që ta largojë fëmijën nga mbikëqyrja e prindërve të tij/saj.

Çfarëdo rasti i shfrytëzimit ose abuzimit me të drejtat e fëmijës duhet t’i adresohet qendrës për punë sociale ose policisë së Kosovës në rast se rreziku është aq i lartë sa që kërkon veprim të menjëhershëm. Shkeljet e tilla mund të raportohen prej kujtdo – prej viktimës, shokëve, anëtarëve të tjerë të familjes, fqinjëve, etj. Kodi penal i detyron njerëzit që t’i raportojnë aktivitetet e tilla kriminale sepse përndryshe edhe vetë mund të dënohen.

Dështimi i palëve përgjegjëse për të reaguar – (psh. i qendrës për punë sociale), mund të raportohet në prokurori drejtpërdrejtë. Qendra për punë sociale punon nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kështu që edhe kjo e fundit mund të njoftohet në rast të mosveprimit. Në rast se asnjëri prej institucioneve nuk i përgjigjet rastit, edhe Institucioni i Avokatit të Popullit mund të njoftohet.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori