Dëmi i shkaktuar nga trajtimi mjekësor

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji për shëndetësi, Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor
  • Kush është përgjegjës:
    Institucionet shëndetësore
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Ministria e shëndetësisë, gjykata kompetente
Tags: ,

Ke pësuar dëm si rezultat i veprimeve ose neglizhencës së një profesionisti mjekësor? Duhet të dish se Ligji për shëndetësi i detyron profesionistët dhe institucionet shëndetësore të të japin trajtim që përputhet me standarde të caktuara të praktikës mjekësore. Në anën tjetër, Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor të siguron të drejtën për të kërkuar kompensim për dëmet materiale ose jo-materiale, infeksionet e shkaktuara nga kushtet brenda spitalit ose pajisjet jofunksionale mjekësore.

Institucionet shëndetësore janë të detyruara që të japin shërbime në përputhje me parimet e përcaktuara në Ligjin për shëndetësi si dhe në Kodin e të drejtave të pacientëve (UA 15/2013). Nëse ke pasur trajtim jo të duhur, neni 24 i Ligjit për drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor thotë se ti ke të drejtë të parashtrosh kërkesë tek institucioni shëndetësor 60 ditë nga momenti kur incidenti ka ndodhur. Institucioni shëndetësor duhet ta hetoj ankesën dhe të të informojë me shkrim mbi gjetjet e hetimit. Institucioni shëndetësor duhet të ketë rregulla të brendshme të veprimit për procedura të tilla.

Ti ke të drejtë të parashtrosh një kërkesë për kompensim jo më vonë se një vit nga momenti kur për herë të parë ke kuptuar për dëmin që të është shkaktuar. Kërkesa duhet t’i dorëzohet një komisioni special të themeluar nga Ministria e Shëndetësisë, pa marrë parasysh nëse Institucioni i shërbimit publik ka qenë publik ose privat. Komisioni është i detyruar që ta shqyrtojë kërkesën brenda tre muajsh. Ai duhet ta përcaktojë përmasën e dëmit të shkaktuar si dhe shumën që duhet paguar. Vendimet e komisionit janë obliguese për Ministrinë e Shëndetësisë. Nëse nuk pajtohesh me vendimin e komisionit, ti mund ta apelosh atë në një gjykatë kompetente.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori