Të drejtat bazike në vend të punës

  • Gjeje në Ligj:
    Ligji i Punës
  • Kush është përgjegjës:
    Punëdhënësi yt
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Inspektorati i punës, gjykata, Institucioni i Avokatit të Popullit
Tags:

Nëse punon për një institucion publik ose kompani private, por nuk je e sigurt se çfarë të drejtash apo përfitimesh të takojnë në kontratë, duhet të dish se të gjitha këto janë të përcaktuara në Ligjin e Punës. Pikë së pari, punëdhënësi yt është i detyruar me ligj që të nënshkruajë me ty një kontratë e cila mund të përcaktohet për një periudhë të padefinuar, të definuar ose një kontratë mbi vepër. Sipas ligjit, kontrata duhet të specifikojë shumë aspekte të angazhimit tënd në punë, si për shembull lloji i punës të cilin do ta bësh, orët e punës, rroga që do marrësh, periudhat e pushimit, etj.

Ligji për shembull thotë se brenda javësh mund të punosh maksimum 40 orë, dhe këto orë mund të ulen në jo më pak se 20 dhe atë vetëm në rast se vendi i punës ka rrezikshmëri të lartë. Puna përtej orarit, në anën tjetër, nuk mund të tejkalojë tetë orë në javë. Punëdhënësi yt është gjithashtu i detyruar me ligj që të lejojë një pauzë prej gjysmë ore gjatë orarit të punës dhe të të jap një ditë pushim në mes të dy ditëve kur ti angazhohesh për 12 orë. Sipas ligjit, ty poashtu të takojnë katër javë të pushimit me pagesë gjatë vitit kalendarik, edhe nëse punon me orar jo të plotë, si dhe 20 ditë pune të paguara të pushimit mjekësor. Pushim me pagesë mund të marrësh edhe në rast të martesës (5 ditë), vdekjes së një anëtari të familjes (5 ditë) dhe lindjes së fëmijës (3 ditë). Sipas ligjit ti nuk mund të marrësh një rrogë më të vogël se rroga minimale prej 130 EUR.

Nëse të drejtat e tua të punës shkelen dhe ti nuk gjen mënyrë për t’i zgjidhur çështjet në bashkëbisedim me punëdhënësin, atëherë mund ta njoftosh Inspektoratin e Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale duke e parashtruar një ankesë. Inspektorët e punës mund ta inspektojnë vendin tënd të punës duke e ruajtur njëkohësisht privatësinë e ankesës tënde dhe duke ndërmarrë masat e nevojshme, që mund të nënkuptojnë: dhënien e këshillave për punëdhënësin për ta zgjidhur problemin, shqiptimin e gjobave ose ndalimin e punës deri në momentin kur çështjet të jenë zgjidhur. Inspektorati i punës është i detyruar sipas Nenit 82 të Ligjit të Punës që të lëshojë një vendim në lidhje me apelin tënd brenda një afati prej 30 ditësh prej ditës kur ankesa jote është parashtruar, ose të paktën të të informojë se vendimi do të shtyhet. Nëse kjo sërish nuk të ndihmon në gjetjen e zgjidhjes, atëherë çështja mund të çohet në gjykatën kompetente.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori