Ankesat për rezultatet e testeve apo notat

  • Gjeje në Ligj:
    Udhëzimi Administrativ 17/2013 i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbi provimet dhe vlerësimet
  • Kush është përgjegjës:
    Ti dhe institucioni arsimor që e ka bërë vlerësimin
  • Kush mund të më ndihmojë:
    Cilido institucion që e mbikëqyrë institucionin që të ka vlerësuar
Tags: , ,

Mendon se shkolla jote apo universiteti yt ka bërë gabim dhe të ka dhënë notë apo vlerësim të gabuar? Ka dispozita ligjore të cilat të lejojnë që ta kundërshtosh vlerësimin e punës tënde nga institucionet arsimore, qoftë nëse bëhet fjalë për një notë që ke marrë në shkollë apo për provimin shtetëror të maturës.

Institucionet arsimore janë me ligj të detyruara që të vlerësojnë përparimin tënd përmes notave dhe që ta bëjnë këtë gjë pa diskriminim. Ligji po ashtu i detyron ato që të japin mundësinë për të parashtruar ankesë. Ankesa duhet t’i parashtrohet institucionit të njëjtë i cili e ka bërë vlerësimin dhe duhet të parashtrohet brenda tre ditësh nga momenti kur e ke pranuar njoftimin për notën/vlerësimin. Për shembull, nëse dëshiron ta kontestosh një notë që e ke marrë në shkollë, atëherë shkolla sipas statutit të saj është e detyruar që të ketë mekanizma përmes të cilave ti mund ta kontestosh vlerësimin. Nëse bëhet fjalë për testin e maturës shtetërore, atëherë adresa e duhur për të parashtruar ankesë është Ministria e Arsimit, sepse ajo e administron testin.

Ligjet në fuqi nuk e thonë saktë se cili është mekanizmi apo shkalla e dytë e apelit ku mund të parashtrosh ankesë ndaj vendimeve të nivelit të parë. Megjithatë, nëse mendon se të është bërë një padrejtësi apo se nuk je trajtuar si duhet, atëherë mund të përpiqesh dhe ta paraqesësh rastin tënd tek institucioni i cili e mbikëqyrë institucionin që ta ka bërë vlerësimin (për shembull, te Drejtoria komunale e arsimit, nëse ankesa ka të bëjë me një notë të marrë në shkollë).

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori