Qasja në dokumente publike

  • Kush mund të më ndihmojë:
    Institucioni i Avokatit të Popullit, gjykata kompetente
  • Kush është përgjegjës:
    Institucionet publike
  • Gjeje në Ligj:
    Kushtetuta e Kosovës (Neni 41), Ligji për qasjen në dokumente publike

Dëshiron të dish se ku po i harxhon komuna jote paratë, ose të analizosh kontratën me kompaninë që po ndërton rrugën në lagjen tënde? Duhet të dish se Ligji për qasjen në dokumente publike të mundëson që të kesh qasje në dokumente zyrtare të institucioneve publike, me disa përjashtime. Qasja është e kufizuar për dokumente të cilat mund të rrezikojnë sigurinë, të pengojnë procese hetimore, të shkelin të drejta të privatësisë ose komerciale, etj. Ligji parasheh se nëse institucionet publike nuk u ofrojnë qytetarëve qasje në dokumente ashtu siç parashihet me ligj, atëherë ato mund të dënohen me një shumë prej 5,000 EUR deri në 10,000 EUR. Zyrtari publik i cili është përgjegjës gjithashtu mund të dënohet me një shumë prej 500 EUR deri në 1,000 EUR. Ligji për qasjen në dokumente publike gjithashtu i detyron institucionet publike që të botojnë në faqet e tyre të internetit sa më shumë dokumente që kanë mundësi, përfshi këtu të dhëna mbi institucionin, legjislacionin në fuqi, strategjitë dhe politikat, procedurat, formularët e aplikimit, etj.

 Ligji mbi qasjen në dokumente zyrtare përcakton procedura të qarta për atë se si duhet të zbatohet e drejta për qasje në dokumente. Duhet ta dorëzosh një kërkesë për qasje e cila, varësisht nga dëshira jote, mund të jetë anonime për palë të treta. Nëse institucioni të cilit ti ia dërgon kërkesën nuk është përgjegjës për informatën, atëherë ai/ajo duhet t’ia përcjellë institucionit relevant brenda pesë ditëve të punës. Institucioni e pranon dhe e regjistron kërkesën dhe duhet të marrë një vendim brenda shtatë ditësh ose të ofrojë ose të mos ofrojë qasje. Nëse institucioni nuk përgjigjet brenda afatit kohor ligjor, atëherë kjo konsiderohet si përgjigje negative dhe i jep aplikuesit të drejtën që ta nisë një procedurë para Institucionit të Avokatit të Popullit ose institucioneve të tjera relevante.

 Institucioni i Avokatit te Popullit është institucioni i cili me ligj është i detyruar t’u ndihmojë qytetarëve në procesin e qasjes në ato dokumente zyrtare të cilat institucionet refuzojnë t’i hapin për publikun. Shërbimet e Avokatit të Popullit janë falas. Po ashtu në rast se e drejta e jote për qasje në dokumente zyrtare shkelet, atëherë mund ta adresosh këtë çështje të një gjykatë kompetente.

  

Related Entries

Mundësuar nga

Mbështetur nga

Administratori